Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka publikuar një mesazh përkujtimor në nderim të Komandantit të Shtabit Operativ të UÇK-së, Zahir Pajaziti, dhe bashkëluftëtarëve të tij Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në përvjetorin e rënies së tyre më 31 janar 1997. Në mesazhin e tij, Mustafa thekson se sakrifica e tyre është pjesë e themeleve të lirisë së vendit dhe e kujtesës historike të popullit shqiptar. Ai e përshkruan veprën e tyre si simbol të guximit dhe shpresës në kohë të vështira. “Ka rrëfime që nuk shkruhen vetëm me fjalë, por me mund e sakrificë. Ka emra që nuk shqiptohen vetëm me buzë, por me zemër e nderim të përjetshëm”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se veprimtaria e tyre çlirimtare u përhap në shumë qytete shqiptare dhe u shndërrua në frymëzim për rezistencë dhe liri. Ai ka përmbyllur mesazhin me homazhe për tre të rënët dhe për të gjithë dëshmorët, duke vlerësuar rolin e tyre në rrugën drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
