Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri  po afrohet, por rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ende nuk janë certifikuar përfundimisht. Kjo zvarritje procedurale, e kombinuar me mungesën e qartësisë politike për kandidaturën presidenciale, po rrit rrezikun për një bllokadë të re shtetërore. Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka siguruar 57 ulëse në Kuvendin e ri  rritje e ndjeshme krahasuar me përbërjen e kaluar dhe praktikisht e ka të garantuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Por kjo shumicë e thjeshtë nuk mjafton për postin e presidentit, ku kërkohen 80 vota dhe marrëveshje e gjerë politike. Ndërkohë, prioriteti për krijimin e shpejtë të qeverisë lidhet me nevojën urgjente për miratimin e buxhetit 2026 dhe garantimin e pagesave në sektorin publik. Situata bëhet më problematike për shkak të mungesës së sinjaleve politike nga Vetëvendosje lidhur me emrin e kandidatit për president. Deri më tani nuk ka qëndrim të qartë as për një mandat të ri të Vjosa Osmanit dhe as për ndonjë alternativë tjetër, çka e shton pasigurinë dhe e zhvendos vendimmarrjen në momentet e fundit. Edhe pse partitë opozitare janë deklaruar të hapura për diskutime, mungesa e negociatave konkrete dhe polarizimi politik rrezikojnë ta kthejnë procesin në pazare të ngutshme, me pasoja për stabilitetin institucional.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Vjosa Osmani ka shkelur Kushtetutën në shumicën e vendimmarrjeve

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj presidentes së …