Në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë u mbajt takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.
Ky aktivitet përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Fauk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.
Në njoftim theksohet se deklarata e përbashkët përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Po ashtu, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
