KFOR rikonfirmon mandatin në Kosovë, thekson rolin e Britanisë

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në një takim zyrtar komandantin e Brigadës së 3-të Sulmuese të Zbulimit të Thellë të Mbretërisë së Bashkuar, gjeneralin David Glendenning, në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë. Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit dy gjeneralët kanë shkëmbyer vlerësime dhe pikëpamje mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe zhvillimet në rajonin më të gjerë, në një kohë kur çështjet e stabilitetit dhe reagimit të shpejtë mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ulutaş ka shprehur vlerësim të veçantë për kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të misionit paqeruajtës, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për kapacitetet operacionale dhe praninë parandaluese të KFOR-it në terren. Në komunikatë rikujtohet se KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me synim garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes, duke vepruar në mënyrë të paanshme. Po ashtu theksohet se misioni operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in si reagues të sigurisë. Takimi shihet si pjesë e koordinimeve të rregullta ushtarake, por edhe si sinjal i vazhdimit të vëmendjes ndërkombëtare ndaj sigurisë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …