Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me Daniel Lawton, zëvendësndihmëssekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ku ka diskutuar mbi rolin strategjik të Kosovës në Ballkan. Gjatë takimit, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria deri te ndërtimi i institucioneve demokratike. Ai ka nënvizuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së janë të qëndrueshme dhe strategjike, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të forcojë sigurinë kombëtare dhe do të kontribuojë në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik. Haradinaj ka shprehur mirënjohje për mbështetjen amerikane dhe ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të qenë partner i besueshëm dhe kontribuues në sigurinë rajonale. Takimi është një tjetër dëshmi e vazhdimësisë së dialogut strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
