Pa përfaqësues të Qeverisë së Kosovës në forumin e sigurisë në Capitol Hill, opozita dhe Shqipëria kërkojnë anëtarësimin në NATO

Në Forumin Ndërparlamentar për Siguri të mbajtur në Capitol Hill, përfaqësues të Shqipërisë dhe të partive opozitare nga Kosova kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë hap si domosdoshmëri për stabilitetin rajonal dhe sigurinë euroatlantike. Nga materialet e publikuara nga aktiviteti, ku kanë marrë pjesë kongresistë dhe diplomatë amerikanë, nuk vërehet prania e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, si dhe as e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Në forum kanë qenë të pranishëm përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Pavarësisht mungesës së përfaqësimit qeveritar nga Kosova, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në adresimin e tij ka theksuar nevojën e integrimit të Kosovës në NATO, duke e lidhur këtë me sfidat gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Ai ka paralajmëruar për rreziqet nga përpjekjet e jashtme për të minuar stabilitetin dhe institucionet demokratike në rajon, duke theksuar se rruga euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë elemente kyçe për sigurinë afatgjatë. Sipas tij, zhvillimet aktuale kërkojnë vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike — elemente që, sipas opozitës, kërkojnë edhe angazhim më të drejtpërdrejtë institucional nga Prishtina zyrtare.

Kontrolloni gjithashtu

FMN: Kosova e fundit në Europë për të ardhura për frymë më 2025, thellohet hendeku me rajonin

Kosova vazhdon të mbetet shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë …