Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Supreme, përmes të cilave kundërshton, siç thotë ai, shkelje të rënda ligjore që sipas tij kanë ndikuar në deformimin e rezultatit zgjedhor. Haxhiu ka njoftuar se ankesat lidhen me pranimin e 23.232 pakove me fletëvotime përmes postës pas afatit ligjor, si dhe me përllogaritjen e mandateve për Kuvendin e Kosovës. Ai pretendon se këto veprime kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e ulëseve parlamentare. Sipas tij, përmes një përllogaritjeje të gabuar të mandateve është cenuar parimi i barazisë së votës dhe e drejta kushtetuese për t’u zgjedhur. Haxhiu i ka bërë thirrje Gjykatës Supreme që të trajtojë rastin me përgjegjësi dhe të garantojë ligjshmërinë e rezultatit përfundimtar. Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me pretendimet e ngritura në këto ankesa. Procesi pritet të vlerësohet nga Gjykata Supreme, e cila do të vendosë mbi bazueshmërinë e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
