Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se kjo gjykatë tashmë e ka humbur besueshmërinë dhe do të mbetet, sipas tij, njollë në historinë e drejtësisë. Haradinaj deklaroi se pavarësisht vendimeve që mund të merren në të ardhmen, proceset e zhvilluara deri më tani janë shoqëruar me shkelje dhe padrejtësi ndaj të akuzuarve. Ai theksoi se edhe një vendim eventual lirues nuk do të mjaftonte për të zhbërë dëmet që, sipas tij, janë shkaktuar gjatë procedurave gjyqësore. “Çfarëdo vendimi të merr, kjo Gjykatë do të jetë turpi i drejtësisë së këtij shekulli. Edhe me i liru nuk është drejtë, sepse gjatë krejt këtyre proceseve, patjetër që duhet me marrë vendim lirues, nëse ka drejtësi. Por edhe nëse merr vendim lirues, kjo Gjykatë do të mbetet turpi i këtij shekulli, sepse i ka bërë të gjitha shkeljet e mundshme”, u shpreh Haradinaj. Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, mënyra e funksionimit dhe rrjedha e proceseve kanë dëmtuar parimet themelore të drejtësisë dhe kanë lënë pasoja të rënda në perceptimin publik për drejtësinë ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
