Në Hagë nis faza përfundimtare e procesit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në gjykatën speciale në Hagë, ku pritet që Prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe të pandehurit të paraqesin për herë të fundit parashtrimet e tyre para trupit gjykues. gjatë kësaj faze përmbyllëse palët do të përmbledhin qëndrimet dhe argumentet lidhur me provat dhe pretendimet e paraqitura gjatë procesit gjyqësor. Katërshja e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka kundërshtuar akuzat, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese në formën e pretenduar nga Prokuroria. Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini, ka shpjeguar se nga data 9 deri më 18 shkurt pritet të dëgjohen deklarimet përmbyllëse të palëve, të cilat zakonisht përfshijnë analizën përfundimtare të provave dhe kërkesat drejtuar trupit gjykues. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, afro tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës. Ky vit konsiderohet vendimtar për ecurinë e çështjes së tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Avni Arifi kritikon Prokurorinë e Hagës: Veprimtaria e saj ka prapavijë politike

Opinionisti Avni Arifi ka shprehur kritika të ashpra ndaj Prokurorisë së Hagës, duke vënë në …