Fadil Dervishaj: Portrete që ndriçojnë identitetin tonë kombëtar (Vështrim rreth librit "99+1 personalitete te Deçanit dhe Junikut", të prof. Adem Lushaj!)

Fadil Dervishaj: Portrete që ndriçojnë identitetin tonë kombëtar (Vështrim rreth librit “99+1 personalitete te Deçanit dhe Junikut”, të prof. Adem Lushaj!)

Këtë shkrim po e nisë me një thënie të Nënë Terezës:

Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

Në dekadën e tretë të këtij mijëvjeçari, për Adem Lushaj-n, këto vite përfaqësojnë periudhën më të frytshme sa i përket veprimtarisë krijuese. Krijimtaria e tij është e larmishme dhe përfshin fusha si: studimi, publicistika, analiza historike, çështje shoqërore dhe autobiografia. Ndër veprat kryesore të kësaj periudhe veçohen janë:

-“Resurset malore të Deçanit dhe turizmi” (2019), e përkthyer edhe në gjuhën angleze;

-“Ecje nëpër kujtime” (2021), vepër publicistike;

-“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” (2021), tashmë e përkthyer në katër gjuhë: anglisht, gjermanisht, turqisht, serbisht dhe frengjisht, si dhe e shpërndarë në shumë biblioteka të Evropës dhe Amerikës;

-“Gjurmë të demokratizimit shoqëror” (2023);

-“Manastiri i Deçanit dhe pronat shoqërore” (2024), e përkthyer gjithashtu në gjuhën angleze;

-“Rrugëtim nëpër valët e jetës” (2025), autobiografi.

Libri i fundit “99+1 Personalitete të Deçanit dhe Junikut”, përbën një opus të rëndësishëm të krijimtarisë së tij, frut i një pune të palodhur dhe përkushtimi të vazhdueshëm, për t’i vënë në pah ngjarjet me rëndësi të veçantë për Deçanin dhe Kosovën, duke i trajtuar ato me ndjeshmëri, argumentim dhe perspektivë dokumentuese.

Libri “99+1 Personalitete të Deçanit dhe Junikut”, i autorit Adem Lushaj, është një punim që del nga kufijtë e një përmbledhjeje veprimtarish biografike. Autori në këtë punim ka shfaqur një përpjekje të kujdesshme, të studiuar mirë dhe me ndjeshmëri të lartë njerëzore, për t’i sjellë në dritë figurat më të shquara të dy komunave, të cilat me veprimtarinë, dijen, artin dhe shpirtin e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe identitetin tonë të përbashkët.

Ky libër është një homazh ndaj punës, sakrificës dhe kontributit të shumë brezave që ndërtuan themelet e zhvillimit të Deçanit dhe Junikut në fusha të ndryshme si: në arsim, kulturë, shkencë, art, sport, shëndetësi, si dhe në jetën shoqërore e politike. Përmes këtyre 100 personaliteteve, autori jo vetëm që i jep zë dhe figurë historisë lokale, por edhe ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive, që shpesh rrezikon të humbet mes harresës e kalimit të kohës.

Adem Lushaj përmes këtij libri ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm, ku ka ndjekur një proces të gjatë hulumtimi, ka mbledhur dëshmi, kujtime dhe fakte, duke ndërtuar me kujdes një tablo të gjerë dhe të shumëllojshme të veprës së këtyre personaliteteve. Përzgjedhja e figurave nuk është bërë rastësisht: ajo reflekton një vizion të qartë për të ndërtuar një mozaik të pasur të njerëzve që i dhanë formë shpirtit të këtyre trojeve. Në secilën biografi ndjehet prania e vëmendjes, e respektit dhe e ndershmërisë intelektuale që e karakterizon autorin.

Në aspektin përmbajtësor dhe stilistik, libri është i ndërtuar me qartësi dhe logjikë të brendshme. Çdo figurë trajtohet në mënyrë të individualizuar, me një gjuhë të pastër, të rrjedhshme dhe të përkushtuar. Lexuesi, duke e përshkuar këtë libër, nuk njeh vetëm emra e data, por udhëton nëpër kohë, ndjen atmosferën e epokave të ndryshme dhe kupton vlerat që kanë përbërë themelin e komunitetit tonë. Edhe pse në thelb është një libër dokumentues, ai lexohet me lehtësi dhe me kënaqësi, sepse autori ka ditur ta ruaj gjallërinë e rrëfimit dhe emocionin e sinqertë që lind nga respekti për njerëzit që përmenden. Ai e kthen kujtimin në rrëfim, biografinë në histori, dhe faktin në ndjenjë. Kjo e bën librin jo vetëm informues, por edhe frymëzues, sidomos për brezat e rinj që kërkojnë modele të qëndrueshme në një kohë kur shembujt e vërtetë shpesh mungojnë.

Libri “99+1 Personalitete të Deçanit dhe Junikut” ka rëndësi të shumëfishtë. Ai është, para së gjithash një vepër dokumentare e vlefshme, që pasuron arkivin historik të këtyre komunave dhe shërben si bazë për studiuesit e së ardhmes. Por njëkohësisht, është edhe një libër shpirtëror, sepse nëpërmjet tij ndjejmë frymën e njerëzve që kanë jetuar me ideal, me dashuri për vendin dhe me besim në vlera që s’duhet të harrohen. Kjo vepër e lidh të kaluarën me të tashmen dhe krijon ura drejt së ardhmes. Ajo ia kujton lexuesit se historia nuk ndërtohet vetëm nga ngjarje të mëdha, por nga njerëzit që punuan me përkushtim në heshtje, me zemër e me përgjegjësi. Prandaj, ky libër është një monument i kujtesës lokale, një thirrje për respekt ndaj atyre që kontribuuan, dhe një nxitje për të rinjtë që ta vazhdojnë rrugën me të njëjtin shpirt. Vlenë të theksohet se Adem Lushaj përmes këtij libri ka dhënë një kontribut të çmuar kulturor, arsimor dhe edukativ për qytetarët e këtyre komunave. Është një libër që meriton të jetë pjesë e çdo biblioteke, në çdo shkollë, institucion e shtëpi, sepse përmban në vetvete vlera të një pune të zellshme, të dijes dhe humanizmit tonë kolektiv. Autori është i vetëdijshëm se nuk ka mundur ti përfshijë të gjithë personalitetet e Deçanit dhe Junikut në këtë libër, megjithatë me këtë ai ka vënë në binarë rrjedhën e punës, të cilën kam shpresën se do ta vazhdoj, në mos vet autori, të paktën është bërë frymëzim dhe shembull për të tjerët.

Në përmbyllje, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për autorin, i cili ka realizuar një vepër që do të qëndrojë gjatë në kujtesën e lexuesit.

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Hajdarmataj: KUSHTUAR DOKTORIT TË SHKENCAVE GEGË SOKOLI

Ibrahim Hajdarmataj: KUSHTUAR DOKTORIT TË SHKENCAVE GEGË SOKOLI

Shkrimtari i mirënjohur, autor i 20 librave të botuar, ka dalë këto ditë para lexuesve …