Vazhdon gjykimi për “Administrimin e drejtësisë”, Specialja nën kritika për proces të zgjatur dhe standarde të diskutueshme

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon gjykimi në rastin për “Administrimin e drejtësisë”, i njohur si çështja “Thaçi dhe të tjerët”, ku ekipet e mbrojtjes pritet të nisin pyetjet për Dëshmitarin 7, i cili dëshmon nën masa mbrojtëse. Seanca vjen pas një jave procedurash hyrëse, gjatë së cilës Zyra e Prokurorit të Specializuar,  lexoi përmbledhjen e akuzave, ndërsa të pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Pas deklaratës hyrëse të Prokurorisë, mbrojtja e Bashkim Smakajt përfundoi paraqitjen e saj, ndërsa mbrojtja e Isni Kilajt vijoi me deklaratën hyrëse përpara trupit gjykues. Prokuroria më pas thirri dëshmitarin e parë, i identifikuar si Dëshmitari 7, duke vazhduar praktikën e dëshmive me anonimitet dhe masa të gjera mbrojtëse  një qasje që prej kohësh është kritikuar nga juristë dhe njohës të proceseve gjyqësore për kufizimin e transparencës dhe vështirësimin e verifikimit publik të provave. Pas konfirmimit të aktakuzës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan një ditë më vonë në objektin e paraburgimit në Hagë. Ndërkohë, Hashim Thaçi mori fletarrestimin brenda objektit të paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçi u ftua për paraqitje para gjykatës. Gjykimi pritet të vazhdojë në ditët në vijim me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ekipet mbrojtëse, ndërsa vëmendja publike mbetet e përqendruar jo vetëm te akuzat, por edhe te mënyra se si po administrohet drejtësia nga kjo gjykatë.

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi: Raporti Kurti–Osmani është konflikt legjitimitetesh, jo karakteresh

Analisti Fitim Selimi ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke vlerësuar se dinamika ndërmjet kryeministrit …