Në seancën e radhës të gjykimit për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, dëshmitari Koen Herlaar, ekspert holandez i kriminalistikës, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të mbrojtjes, duke nxitur reagim të menjëhershëm nga ekipi i avokatëve. Avokatja e Thaçit kërkoi nga trupi gjykues që dëshmitari të detyrohet të përgjigjet, në të kundërtën dëshmia e tij të mos merret parasysh si provë në proces. Sipas saj, refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve cenon të drejtën e mbrojtjes për një proces të rregullt. Nga ana tjetër, prokurori Joshua Hafetz mbrojti qëndrimin e dëshmitarit, ndërsa gjyqtari Christopher Gosnell kërkoi parashtrime shtesë nga palët, duke bërë të ditur se do të vendosë për mjetet juridike që do të ndërmerren. Ndërkohë, trupi gjykues ka ndryshuar disa nga kushtet e lirimit për të akuzuarit, duke u lejuar atyre komunikim mes vete, por jo për çështje konfidenciale që lidhen me rastin.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
