Sot, më 5 mars, Kuvendi Komunal i Skenderajt mbajti seancë solemne me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë seancë të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Skenderajt z.Sami Lushtaku, Nënkryetari i Komunës. z.Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit, znj. Adelina Spahiu-Alija, drejtorë të drejtorive, anëtarët e Kuvendit dhe qytetarë.
Seanca filloi me intonimin e dy himneve: Himnit Shtetëror dhe Himnit Kombëtar.
Pas fjalës hyrëse nga kryesuesja e Kuvendit, fjalim rasti mbajti kryetari i komunës, Sami Lushtaku, i cili gjatë fjalimit të tij vlerësoi lart sakrificën sublime të Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, e cila dha gjithçka për çlirimin e vendit. Qëndresa dhe heroizmi i tyre mbeten themel i lirisë dhe frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë.
Ai me tutje theksoi se Epopeja e familjes Jashari ishte ndërgjegjësim kombëtar. Një familje u flijua për ta zgjuar një komb të tërë. Nga ajo sakrificë lindi një epokë e re, një realitet i ri i cili dëshmoi se liria nuk falet por ajo fitohet me gjak.
Seanca u mbyll me mesazhin për ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e unitetit qytetar.