Nazmi Zuk Jashari, ka lindur me 13 nëntor të vitit 1967, në Prekaz të Poshtëm, në Skenderaj. Prindërit Zuk dhe Bahtije Jashari kanë lindur e rritur fëmijët: Fejzullahun, Feriden, Bahtijen, Shehrijen, Vahiden, Shkurtën, Naimin, Nazmiun dhe Xhevahiren.
Shkollimin fillor deri në klasën e pestë Nazmiu i kreu në shkollën “Azem Bejta” nga klasa e pestë deri në klasën e tetë i mbaroji në Skënderaj, shkollimin e mesëm në Skenderaj në shkollën “Ramiz Sadiku” tash Hamëz Jashari.
Nazmiu ishte pjesë e pandashme e secilit aktivitet për çlirimin e vendit. Ai mori pjesë në demonstrata në vitet 1989, 1990 që organizoheshin në Skenderaj dhe qytete tjera të Kosovës. Nazmiu ishte edhe anëtar i krijimit të rezistencës aktive në vitet 1990. Nga viti 1990 në Prekaz kishin filluar të organizonin rojet, Nazmiu ishte ndër të parët që iu kishte përgjigjur thirrjes për roje.
Më 30 dhjetor të vitit 1991, forca të mëdha policore, të mbështetura edhe nga forcat ushtarake jugosIlave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit, dhe disa shtëpi të tjera të lagjës dhe burrrat të cilët e kishin moshën. Me arritjen e forcave policore dhe ushtarake ishin të pregaditur për rezistencë të armatosur me ato armë që kishin, dhe qëndronin të grumbulluar në disa oda të Lagjës Jashari në Prekaz, si te : Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin dhe Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit Jashari, Xhavit Jashari, Nazmi Jashari, Sherif Jasharin, e me trima të tjerë të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, edhe pse për shkak të rrethimit të hekurt të lagjës Jashari nuk mund të deportonin bashkëluftëtarët të futeshin në lagje.
Forcat pushtuese ushtarake e policore serbe më vonë arritën të hyjnë nëpër disa shtëpi fillimisht në shtëpinë e Shaban Jasharit, dhe burrat e i grumbulluan tek shitorja e Fetah Xhafer Jashari dhe i përdorën si mburojë, nën kërcënimin se nëse vazhdojnë të sulmohen forcat policore dhe ushtarake serbe do ti vrasin të gjithë. Në mbrëmje të gjithë të grumbulluarit te ajo shitore janë dërguar në polici dhe SUP në Mitrovicë. Pas maltretimeve që iu kishin bërë, i marrin edhe gjurmët e duarve për ekspertizë, mandej i lirojnë në orët e hershme dikë më herët e dikë më vonë, duke ju thënë se sa herë ju thërrasim ju duhet të paraqiteni në organet e hetuesisë në Mitrovicë.
Në Prekaz, rojet kishin vazhduar pa ndalë edhe pas sulmit të 30 dhjetorit. Nazmiu e Xhaviti mbanin roje në pikën numër Një te Kurrizi ose Fabrika e Municionit siç quhej asokohe, dhe rojet caktoheshin nga mësuesi Qazim Jashari tani dëshmor. Nazmiu çdo detyrë që i ngarkohej e kreu me nderë dhe përgjegjësi të lartë. Ai ishte shumë konsistent edhe në grumbullimin e informacioneve që fliteshin në atë kohë nga njerëz të ndryshëm dhe pastaj ne i diskutonim se si të veprojmë tutje në lagje. Sikur shumica e familjeve në Prekaz edhe familja e Nazmiut ka pasur armatim personal. Nga shtëpia e Beqir e Halil Jasharit kanë qenë të grumbulluar për të ndihmuar civilët gra e fëmijë të mos zihen gjallë nga forcat serbe, dhe pas largimit të tyre dhe depërtimit të forcave serbe që deportuan në drejtim të shtëpisë së Maliq dhe Hajdar Jasharit dhe nga anë të tjera pas përcjelljes së grave dhe fëmijëve të këtyre shtëpive, Nazmiu në këtë fushë betejë përjetësohet me 5 mars të vitit 1998 tek hyrja në oborrin e shtëpisë së Beqir Jasharit.
Nazmiu ka punuar në biznes privat. Ka qenë i martuar me Drita Ahmetajn nga Rezalla. Pas vete ka lënë djalin Menderesin, asokohe 6 vjeçar. Familja e Nazmiut ka marrë Mirënjohje nga Shoqatat e dala nga lufta, nga komuna e Skenderajt, Qeveria e Përkohshme. Jeta dhe vepra e dëshmorit Nazmi Jashari është përjetësuar edhe në libra të tjerë. Nazmi Jashari, ishte një figurë e shquar dhe pjesë e paharruar e historisë, shënonte një prezencë të shquar në skenën artistike dhe kulturore të Kosovës. Duke u angazhuar në teatër dhe duke qenë pjesë e Ansamblit Drenica, ai la një ndikim të thellë në krijimtarinë kulturore të vendit. Pasioni i tij i palëkundur për artin dhe angazhimi i vazhdueshëm në fushën e teatrit bënë që emri i Nazmi Jasharit të mbetet i paharruar dhe frymëzues për brezat e ardhshëm. (Xhavit Jashari dhe Menderes Jashari)
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
