Psikologu Labinot Dervishaj kujton Ahmet Qeriqin në njëvjetorin e ndarjes nga jeta

Psikologu dhe ish-gazetari i Radio Kosova e Lirë, Labinot Dervishaj, ka kujtuar drejtorin dhe profesorin Ahmet Qeriqi në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të fjalës së lirë dhe të kujtesës kombëtare. Në një fjalë përkujtimore, Dervishaj theksoi se kishte pasur fatin ta kishte udhërrëfyes në fillimet e tij profesionale gjatë punës në Radio Kosova e Lirë, ku, sipas tij, kishte mësuar se gazetaria nuk është vetëm profesion, por mision dhe përgjegjësi morale ndaj së vërtetës. Ai kujtoi rolin e Ahmet Qeriqi gjatë luftës, kur drejtoi radion nga 4 janari 1999 deri në përfundimin e luftës çlirimtare, në një kohë kur fjala e lirë rrezikonte jetën e atyre që e mbronin. Sipas Dervishajt, Qeriqi ishte njeri i formuar nëpër sprova të mëdha, i kalitur nga burgjet dhe përndjekjet, por që gjithmonë mbeti i palëkundur në qëndrimet e tij dhe i përkushtuar ndaj së vërtetës dhe idealit kombëtar. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e tij pas luftës në dokumentimin e historisë së luftës, përmes shkrimit dhe përpilimit të monografive për dëshmorët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Ushtria Çlirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Dervishaj theksoi se ndarja nga jeta e Qeriqit më 7 mars, në Ditën e Mësuesit, mbart një simbolikë të veçantë, pasi ai ia kushtoi jetën dijes, edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezave. “Profesori Ahmet Qeriqi mbetet gur i fortë në themelet e ndërgjegjes sonë kombëtare”, u shpreh ai, duke përfunduar me mesazhin: “Lavdi jetës dhe veprës së tij.”

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, mbahet Akademi Përkujtimore për prof. Ahmet Qeriqin, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit, të burgosurit politik dhe drejtorit të RKL-së

Nesër, mbahet Akademi Përkujtimore për prof. Ahmet Qeriqin, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të …