Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se vendimi për reduktimin e energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë në Union Evropian ka qenë një “gabim strategjik”. Gjatë Samiti nuklear për energji në Paris, ajo theksoi se largimi nga ky burim energjie e ka dobësuar diversifikimin energjetik të Evropës. Sipas saj, energjia bërthamore është një burim i besueshëm, relativisht i përballueshëm dhe me emetime të ulëta të karbonit. Von der Leyen rikujtoi se në vitin 1990 energjia bërthamore përbënte rreth një të tretën e prodhimit të energjisë elektrike në BE, ndërsa sot kjo pjesë ka rënë në rreth 15 për qind. Ajo bëri të ditur se BE-ja synon të zhvillojë reaktorë të vegjël bërthamorë, të njohur si Small Modular Reactors, për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka paraparë një fond prej 200 milionë eurosh për të mbështetur investimet në këtë teknologji. Presidentja e Komisionit shtoi gjithashtu se rritja e çmimeve të energjisë, e ndikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme, tregon nevojën që Evropa të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe nga energjia bërthamore për të siguruar stabilitet energjetik në të ardhmen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
