Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka mbrojtur vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendi i Kosovës, duke theksuar se nuk ka asnjë dyshim për kushtetutshmërinë e këtij veprimi. Gruda paralajmëroi se shpërndarja e Kuvendit do ta linte vendin me një qeveri në dorëheqje, e cila sipas tij do të vazhdonte të gëzonte privilegjet e pushtetit pa sjellë përfitime për qytetarët. Gruda theksoi se opozita kishte treguar gatishmëri të rrallë për të gjetur një kandidat konsensual për president, por sipas tij kjo nuk ishte në interesin e kryeministrit Albin Kurti. Ai akuzoi Kurtin se procesi që nga fillimi ishte i dizajnuar për të dështuar dhe se konsultimet me opozitën kanë qenë vetëm formale. Sipas Grudës, qëllimi i vërtetë ka qenë zgjedhja e Glauk Konjufca në krye të shtetit, ndërsa diskutimet me partitë tjera kanë qenë vetëm, siç tha ai, “konsumim i pritjeve të publikut”. Deputeti i PDK-së e akuzoi më tej Kurtin se është i fokusuar në procedura dhe në zgjerimin e pushtetit personal, ndërsa sipas tij problemet reale të qytetarëve po mbeten anash. “Pangopësia për pushtet e Albin Kurtit po e mban Kosovën peng dhe po na mban të gjithëve peng”, përfundoi Gruda.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
