Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se presidentja Osmani ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën në vendimet e saj lidhur me zhvillimet e fundit institucionale në vend. Duke komentuar situatën politike, Haradinaj tha se mosveprimi nga ana e presidentes do të përbënte shkelje kushtetuese, duke theksuar se ajo ka respektuar detyrimet që i përcakton Kushtetuta. Ai shtoi se Kosova ka një Kushtetutë relativisht të re dhe se shumë situata politike po ndodhin për herë të parë, prandaj sipas tij shpesh kërkohet interpretimi Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sipas tij, nga këndvështrimi juridik dhe politik, presidentja ka mbrojtur Kushtetutën duke vepruar në përputhje me afatet dhe detyrimet kushtetuese. “Sa jam jurist dhe sa jam pjesë e misionit të vendit, mendoj që presidentja e ka respektuar Kushtetutën dhe e ka mbrojtur atë”, u shpreh ai. Haradinaj theksoi se afatet kushtetuese janë të qarta dhe nuk mund të ndryshohen nga procedura politike apo interpretime të tjera. “Afati kushtetues është afat. Nuk mundemi me e ndryshu as procedura, as asgjë tjetër”, përfundoi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
