Mbrojtja e Thaçit kundërshton Prokurorinë: Shkelje procedurale pas mbylljes së çështjes

Mbrojtja e Hashim Thaçi, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiç, ka kërkuar nga trupi gjykues që të ndalojë Zyra e Prokurorit të Specializuar nga paraqitja e provave të reja, duke e cilësuar këtë si shkelje të rregullave procedurale. Sipas mbrojtjes, pas mbylljes së çështjes më 18 shkurt 2026, në përputhje me Rregullën 136, nuk lejohet dorëzimi i provave apo parashtresave të reja, përveç në rrethana të jashtëzakonshme. Megjithatë, Prokuroria pretendohet se ka vazhduar të dorëzojë materiale shtesë duke iu referuar Rregullës 103, e cila lidhet me provat shfajësuese. Mbrojtja argumenton se ky veprim anashkalon procedurat, pasi çdo material i ri që mund të ndikojë në çështje duhet të paraqitet vetëm përmes një kërkese formale për rihapje të procedurës dhe me arsyetim të qartë për rrethana të jashtëzakonshme. Në këtë kontekst, ajo i ka kërkuar panelit që të urdhërojë Prokurorinë të ndalojë çdo dorëzim të mëtejmë provash, përveç rasteve kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga rregullorja. Rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa përplasjet mes palëve për çështje procedurale po shtojnë tensionet para vendimit përfundimtar.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: 24 Marsi simbol sakrificës dhe kthesës vendimtare për lirinë e Kosovës

Komandanti i ZOD, tani kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 24 Marsin si një …