Ish-zyrtari i NATO, Jamie Shea, ka paralajmëruar se Serbia po përdor gjithnjë e më shumë taktika hibride për të destabilizuar Kosova, duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë ushtarake. Sipas tij, ndryshe nga vitet ’90, kërcënimet aktuale nuk vijnë nga agresioni klasik, por nga “zona gri”, përfshirë propagandën, dezinformimin, presionin ekonomik dhe përdorimin e strukturave të fshehta për të nxitur tensione politike dhe përçarje. Shea theksoi se Serbia ka aplikuar këto metoda edhe ndaj Kosovës, duke përmendur si shembull incidentin në Banjskë në vitin 2023, që sipas tij dëshmon qartë qasjen destabilizuese. Ai vlerësoi se situata në rajon është më stabile krahasuar me të kaluarën, falë pranisë së KFOR dhe angazhimit të Bashkimit Evropian, por paralajmëroi se rreziku nga taktikat hibride mbetet real. Në këtë kontekst, Shea theksoi se detyra kryesore e NATO-s është të forcojë mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e inteligjencës dhe ndërtimit të kapaciteteve për t’u përballur me këto forma të reja të kërcënimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
