Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

Vendim i kontestuar i ministrit Stoilkoviç: Akuza për arbitraritet dhe diskriminim në largimin e pesë shqiptarëve

Vendimi i fundit i ministrit Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive ka shkaktuar reagime të ashpra politike dhe ka ngritur shqetësime serioze për ligjshmërinë dhe paanshmërinë institucionale. Bashkimi Demokratik për Integrim ka vlerësuar se procesi është i mbushur me shkelje procedurale dhe mungesë të theksuar të provave, duke e cilësuar vendimin si arbitrar dhe të pajustifikuar. Sipas tyre, procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, pa përcaktim të qartë të përgjegjësisë individuale dhe me indikacione për justifikime të ndërtuara pas marrjes së vendimit. Po ashtu, theksohet se masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës është joproporcionale në raport me pretendimet, duke ngritur dyshime për një qasje selektive dhe potencialisht diskriminuese, veçanërisht duke pasur parasysh se të prekurit janë punonjës shqiptarë në një institucion që ka për mision bashkëjetesën ndëretnike. BDI kërkon transparencë të plotë për këtë rast, publikimin e dokumentacionit përkatës, hetim institucional dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve në përputhje me ligjin. Sipas tyre, ky rast përbën një test serioz për funksionimin e shtetit ligjor dhe për besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Kontrolloni gjithashtu

Skandal i rëndë në energji: Dyshime për manipulim masiv me njehsorë, qytetarët paguajnë miliona më shumë

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur alarmin për një skandal serioz në …