Pas më shumë se pesë vitesh paraburgim në Haga, pritet që nga 1 prilli të ketë disa lehtësime të kufizuara për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, megjithëse regjimi i ashpër i vendosur ndaj tyre mbetet në thelb i pandryshuar. Sipas zhvillimeve të fundit, Regjistri i Gjykatës Speciale ka propozuar disa zbutje teknike, që përfshijnë rritjen e numrit të video-vizitave dhe takimeve me familjarët, si dhe më shumë mundësi komunikimi përmes telefonit. Megjithatë, këto ndryshime konsiderohen minimale krahasuar me kufizimet e rënda që janë në fuqi që nga dhjetori i vitit 2023. Kërkesa për heqjen e plotë të regjimit, e mbështetur edhe në gjendjen e rënduar të mirëqenies së të akuzuarve, veçanërisht të Selimit është kundërshtuar plotësisht nga Prokuroria Speciale. Qëndrimi i saj, i udhëhequr nga Kimberly West, shihet nga shumëkush si paragjykim i procesit dhe vazhdim i një qasjeje të ashpër, pavarësisht kohëzgjatjes së paraburgimit. Vendimi përfundimtar i mbetet trupit gjykues, nën drejtimin e Charles Smith, ndërsa Regjistri ka lënë të kuptohet se edhe nëse nuk hiqet regjimi, mund të ketë vetëm lehtësime të pjesshme. Në këtë kontekst, çdo lehtësim i paralajmëruar shihet më shumë si përpjekje për të zbutur kritikat sesa një ndryshim real i qasjes ndaj të akuzuarve, ndërkohë që kërkesat për trajtim më të drejtë dhe respektim të plotë të të drejtave themelore vazhdojnë të mbeten aktuale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
