Këshilli i Sigurimit i OKB-së, diskuton për Kosovën në prill, theksohet mungesa e progresit në dialog

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pritet që gjatë këtij muaji të zhvillojë seancën e parë për vitin 2026 mbi situatën në Kosovë, ku në fokus do të jenë zhvillimet politike, siguria dhe dialogu me Serbinë. Në raportin e fundit theksohet se nuk ka pasur progres domethënës në dialogun e ndërmjetësuar nga UE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet për ta ringjallur procesin janë intensifikuar nga i dërguari special i BE-së, Peter Sorensen, i cili ka zhvilluar takime me liderët në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Raporti vë në pah edhe zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, duke përmendur krizën institucionale pas zgjedhjeve dhe dështimin për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues, çështje që ka ndikuar në rritjen e pasigurisë politike. Këshilli i Sigurimit thekson se prioritet mbetet ruajtja e stabilitetit dhe ulja e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës, si dhe ruajtja e momentumit të dialogut. Megjithatë, raporti vlerëson se diskutimet në këtë forum shpesh shndërrohen në përplasje politike mes palëve, duke zbehur mundësinë për progres konkret. Seanca e Këshillit të Sigurimit pritet të rikthejë vëmendjen ndërkombëtare mbi Kosovën, në një kohë kur sfidat politike dhe të sigurisë mbeten të ndjeshme.

 

Kontrolloni gjithashtu

Apeli vulos aktakuzën për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, …