Reagim i ashpër i OVL-UÇK: Rritja e kostos së telefonatave në Hagë cilësohet goditje çnjerëzore

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimit për rritjen e kostove të komunikimit telefonik për ish-bashkëluftëtarët që ndodhen në Hagë. Në reagimin e saj, organizata thekson se rritja e çmimeve për telefonatat përbën një barrë të rëndë jo vetëm financiare, por edhe emocionale për të akuzuarit dhe familjet e tyre. Sipas OVL-UÇK-së, komunikimi me familjen nuk është luks, por një nevojë themelore për të ruajtur lidhjet me më të afërmit. “Shtrenjtimi i zërit për njerëzit që janë larg familjeve të tyre është i papranueshëm dhe cenon dinjitetin njerëzor,” thuhet në reagim. OVL-UÇK vlerëson se kjo masë përbën një goditje morale dhe të padrejtë ndaj ish-bashkëluftëtarëve, duke theksuar se kufizimi i komunikimit familjar ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike të tyre. Organizata ka shprehur indinjatë edhe për, siç thotë, mohimin e së drejtës elementare për të qëndruar pranë familjeve deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të reagojë dhe të kërkojë trajtim më të drejtë për ta.

Kontrolloni gjithashtu

Deliu kritikon Kurtin: Vendi drejt krizës politike dhe rrezikut për zgjedhje të reja

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka ngritur shqetësime serioze për vonesat në …