Qeveria rikthen “çmimet tavan” në formë të re mes krizës, FMN paralajmëron rënie ekonomike dhe rritje inflacioni

Vetëm pak ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin që sinjalizon ngadalësim të ekonomisë së Kosovës, Qeveria ka miratuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të destabilizimit të tregut. Projektligji, i cili konsiderohet si një version i riformuluar i ligjit për “çmimet tavan” të rrëzuar më parë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, është miratuar me unanimitet në mbledhjen e ekzekutivit. Qeveria e arsyeton këtë nismë me rritjen e ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë dhe ankesat e shumta të qytetarëve, veçanërisht për çmimin e naftës dhe ushqimeve. Ndërkohë, raporti i fundit i FMN-së paraqet një tablo shqetësuese ekonomike. Sipas tij, rritja ekonomike ka rënë nga 4.6% në vitin 2024 në 3.6% në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 pritet të zbresë edhe më tej në 3.3%. Po ashtu, inflacioni ka arritur në rreth 5.75% në janar 2026 dhe pritet të rritet në 5.9% gjatë vitit, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve. FMN paralajmëron se stabilizimi drejt nivelit 2% mund të arrihet vetëm deri në mesin e vitit 2028. Raporti evidenton edhe rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse në 9.2% të BPV-së, si pasojë e importeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, me pritje për thellim të mëtejmë gjatë këtij viti. Në këtë kontekst, rikthimi i ndërhyrjes së shtetit në treg përmes këtij projektligji shihet si një përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve, por mbetet të shihet nëse do të ketë efekt konkret në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza kritikon Qeverinë në Kuvend: Varfërimi i qytetarëve është rritur për 6%

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar ashpër Qeverinë gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin …