Tema të tjera...
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka marrë zyrtarisht detyrën e ushtrueses së presidentes gjatë një ceremonie pranim-dorëzimi, duke falënderuar Vjosa Osmani për angazhimin e saj gjatë mandatit pesëvjeçar. Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi rëndësinë e integritetit në krye të institucioneve shtetërore, duke nënvizuar se rrethanat kushtetuese e obligojnë kryetarin e Kuvendit të ushtrojë përkohësisht detyrën e presidentit. Ajo bëri të ditur se kjo pozitë është e përkohshme dhe nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj. “Për Kosovën është me rëndësi të kenë në krye të institucioneve njerëz me integritet të lartë. Shpresoj që Kuvendi të zgjedh sa më shpejt presidentin e ri”, deklaroi Haxhiu, duke u bërë thirrje grupeve parlamentare që të tejkalojnë dallimet politike dhe të arrijnë një zgjidhje konsensuale. Ajo shtoi se deri në zgjedhjen e presidentit të ri, do të angazhohet që përgjegjësitë e këtij posti t’i ushtrojë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë. Ceremonia u zhvillua në një klimë të ndjeshme politike, pas një periudhe të karakterizuar nga bllokada institucionale dhe sfida në funksionimin e institucioneve. Në këtë kontekst, pritet që zhvillimet e ardhshme politike të fokusohen në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
