Arrestimi i ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike e Kosovës, Nagip Krasniqi, dhe largimi i tij nga detyra kanë ekspozuar një problem shumë më të thellë në funksionimin e shtetit: dominimin e institucioneve nga ushtrues detyre. Ky fenomen nuk është më përjashtim, por rregull. Dhjetëra institucione kyçe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë me drejtues të përkohshëm, duke krijuar një realitet institucional të brishtë dhe të varur politikisht. Rasti i emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit është ilustrimi më i qartë i këtij ngërçi. I propozuari i Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufaj, mbetet i paemëruar, ndërsa institucioni funksionon me ushtrues detyre që nga viti 2022. Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, që lidhen me këtë proces, vetëm sa e kanë thelluar perceptimin për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë. Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Akademia e Kosovës për Siguri Publike funksionon me ushtrues detyre, ndërsa në Ministria e Drejtësisë, disa institucione kyçe si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Instituti për Mjekësi Ligjore mbeten pa drejtues të përhershëm. Situata është e njëjtë edhe në dikastere të tjera, përfshirë inspektoratet në Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, ku shumica e agjencive udhëhiqen nga ushtrues detyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
