Partia Demokratike e Kosovës, ka mohuar pretendimet e zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca se kryeministri Albin Kurti i ka dërguar letër kryetarit të saj, Bedri Hamza, lidhur me bisedimet për zgjedhjen e presidentit. Sipas burimeve të larta brenda PDK-së, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Deri më tani kryetari Hamza nuk ka marrë asnjë letër nga Albin Kurti”, ka deklaruar një zyrtar i partisë në kushte anonimiteti, duke hedhur poshtë deklaratat publike të Konjufcës. Më herët gjatë ditës, Glauk Konjufca kishte pohuar se kryeministri i ka drejtuar letër edhe PDK-së, pas takimeve që ka zhvilluar me liderë të tjerë opozitarë, përfshirë Lumir Abdixhiku. Ndërkohë, PDK ka bërë të ditur se Bedri Hamza i është përgjigjur më herët Kurtit, duke kërkuar që çdo ftesë për takim të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që procesi të trajtohet me seriozitet institucional. Kjo përplasje deklaratash nxjerr në pah mungesën e qartësisë dhe koordinimit në komunikimin politik, duke thelluar dyshimet për vullnet real në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
