Enver Hoxhaj: Kurti mban çelësin e presidentit, opozita refuzon rolin e “shpëtimtarit” të qeverisë

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka theksuar se zgjedhja e presidentit të Kosovës varet para së gjithash nga vullneti politik i kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar një qasje më serioze dhe konkrete nga të gjitha partitë politike. Hoxhaj kritikoi takimet politike pa përmbajtje, duke nënvizuar se opozita nuk merr pjesë në to “sa për sy e faqe”, por vetëm kur ka gatishmëri për marrëveshje të qarta. Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi Kurtin, i cili duhet të sqarojë pritjet dhe të udhëheqë procesin drejt një zgjidhjeje konkrete. Ai bëri të ditur se brenda PDK-së janë zhvilluar diskutime të gjera për këtë çështje, por theksoi se partia pret që Kurti të vendosë në mënyrë të qartë në letër kërkesat dhe rolin e opozitës në zgjedhjen e presidentit. “Kur ka vullnet, ka gjithmonë rrugë në politikë”, u shpreh Hoxhaj, duke shtuar se pa ndryshim të qasjes së deritanishme nga ana e kryeministrit, nuk pritet ndonjë zhvillim i ri në proces. Ai nënvizoi se PDK nuk synon të bëhet pjesë e qeverisë, por është e gatshme të kontribuojë për të shmangur zgjedhjet e reja, përmes një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit, nëse ekziston vullnet i mirëfilltë nga pushteti.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …