Serbia glorifikon kriminelët e luftës, reagime të ashpra për revizionizëm historik

Derisa në Kosovë vazhdojnë përkujtimet për viktimat e krimeve serbe gjatë luftës së fundit, Kuvendi i Serbisë ka hapur së fundmi një ekspozitë që i kushtohet kriminelit të luftës Obrad Stevanoviq, bashkëpunëtor i ngushtë i Slobodan Milosheviç. Ekspozita, e dedikuar Njësive Speciale të Policisë serbe, ka nxitur reagime të forta, sidomos për praninë e zyrtarëve të lartë shtetërorë në ceremoninë hapëse, përfshirë ministrin e Brendshëm, Ivica Daçiç. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si dëshmi të mungesës së plotë të pendesës dhe si vazhdimësi të një narrative shtetërore që relativizon dhe madje glorifikon krimet e kryera gjatë luftës. “Derisa në Kosovë mijëra viktima të spastrimit etnik të kryer nga Republika Federale e Jugosllavisë përmes aparatit kriminal të Milošević-it mbesin ende të pagjetura, Serbia vazhdon me të njëjtin avaz. Duke lartësuar figura të lidhura drejtpërdrejt me gjenocidin ndaj popullit shqiptar, institucionet serbe dëshmojnë se jo vetëm që nuk janë penduar, por vazhdojnë të kultivojnë të njëjtën qasje ndaj së kaluarës”, thuhet në reagim. Sipas OVL-UÇK-së, ky veprim përbën një formë të hapur të revizionizmit historik dhe një përpjekje për të rehabilituar figura të përfshira në krime kundër njerëzimit. Organizata u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të reagojnë pa ekuivok ndaj këtij zhvillimi, duke paralajmëruar se heshtja përballë glorifikimit të krimeve përbën “bashkëfajësi morale”. “Reagimi ndërkombëtar është i domosdoshëm, pasi normalizimi i narrativave që rehabilitojnë krimet e luftës cenon drejtësinë dhe paqen afatgjatë në rajon”, theksohet më tej në reagim.

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Sejdiu: Situata e krijuar pas reciprocitetit të targave, thjeshtë është zbatim i një marrëveshjeje

Dardan Sejdiu: SHBA po i dërgon Kosovës paralajmërimin e fundit për energjinë dhe investimet strategjike

Analisti politik Dardan Sejdiu ka deklaruar se letra e publikuar së fundmi nga diplomatja amerikane …