Rreth 100 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin kombëtar në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Përmes një platforme online, tash e një muaj, qytetarët kanë pasur mundësinë të japin mbështetjen e tyre, ndërsa nënshkrimet janë mbledhur edhe fizikisht në terren. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, ka bërë të ditur se deri më tani janë mbledhur rreth 100 mijë nënshkrime. “Sipas informacioneve që kemi nga terreni, janë bërë rreth 100 mijë nënshkrime. Prej tyre, 28 mijë janë online, ndërsa pjesa tjetër janë mbledhur fizikisht”, ka deklaruar Sopi. Ai shtoi se hapat e mëtejmë të organizatës do të varen nga zhvillimet dhe vendimet e Gjykatës Speciale. “Hapat e tjerë që do t’i marrim si organizatë do të varen nga vendimet dhe zhvillimet në Gjykatën Speciale”, theksoi ai. Dorëzimi i nënshkrimeve në Gjykatën Speciale në Hagë pritet të bëhet në fillim të muajit maj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
