Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Doganaj të Kaçanikut, është mbajtur një akademi përkujtimore, ku janë nderuar të rënët për liri. Në këtë aktivitet, kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kaqanik, Selajdin Troni, theksoi se sakrifica e dëshmorëve dhe vuajtja e martirëve mbeten të pashlyeshme në kujtesën kolektive. “Një nga ditët më të rënda dhe më të dhimbshme për Doganaj dhe Sllatinën e Kaçanikut. Kjo ditë mbetet një plagë e hapur dhe një kujtim i gjallë i sakrificës dhe qëndresës së popullit tonë. Ata ranë që ne sot të jetojmë të lirë dhe që brezat e rinj të rriten në paqe dhe dinjitet”, u shpreh Troni. Ai veçoi edhe kujtimin për fëmijët e pafajshëm që humbën jetën në atë ditë, duke theksuar se kujtimi i tyre do të jetojë përgjithmonë. Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veterani Fahri Demnika tha se e vërteta për krimet e kryera gjatë luftës nuk duhet të shtrembërohet dhe as të harrohet. “Në atë ditë të errët, forcat ushtarake dhe policore serbo-malazeze ushtruan dhunë të pamëshirshme ndaj popullatës civile. U sulmuan fshatrat Sllatinë dhe Cakaj, ku u vranë 14 civilë, ndërsa ranë heroikisht edhe dy luftëtarë të UÇK-së. Këta njerëz nuk janë vetëm kujtim, por amanet për brezat që vijnë”, theksoi Demnika. Mes emocionesh, para të pranishmëve foli edhe Agon Elezi, djali i martirit Vesel Elezi, i cili kujtoi sakrificën e të atit dhe bashkëfshatarëve të rënë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
