Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka deklaruar se nuk e sheh më veten në garë politike, por nuk e konsideron të përfunduar angazhimin e tij publik. Thaçi, i cili ndodhet në vitin e gjashtë të paraburgimit, ka folur edhe për humbjen personale të babait të tij, duke theksuar se pamundësia për të marrë pjesë në varrim është një nga dhimbjet më të mëdha që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Ai ka shprehur mirënjohje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se si qytetar i lirë do të vazhdojë t’i shërbejë vendit. Në të njëjtën intervistë, Hashim Thaçi ka deklaruar se aktakuza ndaj tij nuk përmban pretendimet për trafikim organesh, të cilat sipas tij ishin baza për krijimin e Kosovo Specialist Chambers. Thaçi ka theksuar se këto akuza buronin nga raporti i Dick Marty, të cilin e ka cilësuar si të ndikuar nga dezinformimi rus. Sipas tij, mekanizmat ndërkombëtarë si ICTY, UNMIK dhe EULEX kanë trajtuar tashmë përgjegjësitë për krimet e luftës në Kosovë. Ai shtoi se procesi aktual duhet të kontribuojë në të vërtetën dhe drejtësinë, duke shprehur besimin se gjykata do të marrë vendim mbi bazën e fakteve. Ai ka theksuar se krimet e kryera nga individë nuk mund të krahasohen me veprimet e forcave serbe gjatë regjimit të Slobodan Milosheviç. Thaçi ka deklaruar se lufta e Kosovës ishte për mbijetesë dhe liri, duke shtuar se procesi nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë apo për të relativizuar vuajtjet e popullit të Kosovës. Ai gjithashtu ka vlerësuar ndërhyrjen e NATO si të drejtë dhe të domosdoshme për ndaljen e spastrimit etnik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
