27 vjet më parë, në një betejë të përgjakshme me armikun, ranë në logun e nderit, veprimtarët dhe luftëtarët e orëve të para, dëshmorët e kombit, Dalip Behra dhe Bekim Gashi nga Krusha e Madhe.
Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, bashkëluftëtarë dhe me familjarë të dëshmorëve, nderuan kujtimin e emrit dhe veprën e tyre madhështore, e cila kulmoi më 13 prill 1999, te vendi i rënies, i njohur si Rrezet e Krushës.
Dalipi e Bekimi, sot dukeshin më të gjallë se kurrë, më krenarë se kurrë. Bij si Bekimi dhe Dalipi, i japin nder dhe krenari të përjetshme kombit dhe atdheut tonë, tha kryetari Latifi.
Pesha e gjakut të tyre na obligon të jemi përherë në nivel të lartë të përgjegjësive tona shoqërore e institucionale. Këto jetë njerëzish të këputura në lulen e rinisë na bëjnë ta duam këtë vend më shumë dhe ta çmojmë e ta forcojmë lirinë që e gëzojmë, tha ndër të tjera në fjalën e tij, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.
Lavdi dëshmorëve të kombit, Bekim Gashi dhe Dalip Behra!

Të dielën më 12 prill u përkujtuan dëshmorët Reshat Zeka, Sadki Sylejmani, Bekim Ahmeti e Namik Zeka
Reshat Zeka, Sadki Sylejmani, Bekim Ahmeti e Namik Zeka, u bënë dëshmorë kombi, 27 vjet më parë në Pataqan të Ulët. Sot, njëherësh përkujtuam qytetarët e paarmatosur që u vranë barbarisht, si: Shemsie Hoti e Sutki Hoti (nënë e bir) nga ky fshat dhe Ferat Daka nga Rahoveci.
12 prilli i vitit 1999, në Pataqan të Ulët, mbetet i pashlyer në kujtesën tonë dhe të brezave që vijnë.
Do t’i nderojmë për jetë e mot të gjithë të rënët dhe do të jemi të pandalshëm e të pakursyer në përpjekjet tona, që drejtësia të vihet në vend për të qetësuar dhimbjet e thella të familjarëve dhe të popullit tonë, deklaroi në fjalën e tij, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.
Po ashtu, me një program të pasur, u kremtua edhe dita e shkollës “DËSHMORËT E LIRISË”.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
