Labinot Dervishaj: Profesor Ahmet Qeriqi të nderohet si Hero Kombëtar

Sadik Halitjaha: Shkrimet e Prof. Ahmet Qeriqit të lënë pa frymë deri në leximin e fjalës së fundit!

Shkrimet e Prof. Ahmet Qeriqit të lënë pa frymë deri në leximin e fjalës së fundit! Autori i nxjerr, i radhit dhe u jep vendin meritor veprimtarëve të etapave të ndryshme në robërinë e Jugosllavisë titoiste, sidomos pasi abrogohen vendimet e Konferencës së Bujanit më 30–31 dhjetor 1943 dhe 1–2 janar 1944. Këto vendime parashihnin që Kosova të vetëvendoste nëse do t’i bashkohej Shqipërisë pas luftës antifashiste. Mirëpo, okupimi jugosllav u bë fakt i kryer, siç e paraqet edhe autori.

Më pas fillon një lëvizje çlirimtare nga një kategori njerëzish intelektualë, kombëtarë e të sakrificës, të cilët autori i paraqet si me emra, ashtu edhe si strukturë. Ky hap fillon me studentët e parë shqiptarë në Beograd, të cilët organizimin e quajnë “Besa”. Ky organizim rritet, sidomos pas kthimit të Ibrahim Lutfiut nga Beogradi. Organizimi shtrihet në komitete rrethesh dhe merr formësimin e NDSH-së, në krye me Gjon Sereqin dhe bashkëveprimtarë si Aziz Zhelivoda, Ibrahim Lutfiu e shumë të tjerë.

Të gjitha këto i ka sqaruar mirë autori Ahmet Qeriqi: si kanë funksionuar me organizime të fshehta, solidarizim dhe mosnënshtrim para UDB-së. Ai ka shpjeguar se kur dhe kush u dënua, si dhe vuajtjet e torturat e tyre dhe të familjeve të tyre, duke u etiketuar si “ballistë” e “informbyroistë”. Autori trajton edhe bashkëpunimin me Shqipërinë, si dhe programin dhe qëllimet e tyre për bashkim kombëtar.

E përgëzoj autorin për materialet e përqendruara në shkrim, pa ua hequr origjinalitetin, duke i bërë të duken si ngjarje të kohës aktuale që e jetojmë sot.

Dua të shtoj se ky organizim u shtri edhe në rrethin tonë, në Suharekë, Prizren e Rahovec. Këtu ka qëndruar gati një vit i fshehur Ibrahim Lutfiu nga Mitrovica, duke bashkëpunuar me njerëzit e organizuar të kësaj ane, si: Shaban Mazreku (i dënuar me 101 vite burg), Zekë Bajraktari (20 vite), Isuf Demiri (20 vite), Zenun Kepa (i pushkatuar), Sejdi Kepa (i mbytur në tortura), si dhe Jakup Jakupi nga Mushtishti (i pushkatuar).

Në këtë anë, kjo etapë është pak e eksploruar, si dhe procesi i Prizrenit i vitit 1955, ku të dënuarit u etiketuan si informbyroistë e stalinistë, në krye me Sheh Hasanin nga Rahoveci.

Jam shumë mirënjohës për veprat e çmuara, me vlera të pamatshme, që na ringjallin të kaluarën e lavdishme. Lavdi Ahmet Qeriqit të pavdekshëm!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Qëndresa heroike e Tahir Nebih Mehës dhe Nebih Emin Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981

Sadik Halitjaha: SHKRIMI I AHMET QERIQIT PËR TAHIR MEHËN

Autori Ahmet Qeriqi, duke përshkruar ngjarjen krenare dhe tragjike të Tahir Mehen dhe familjes së …