Aksioni “Për Malishevën e pastër” ka vazhduar në Shkozë me mesazhe për ruajtjen e ambientit

Aksioni për pastrimin e ambientit “Për Malishevën e pastër” ka vazhduar edhe sot në Komunën e Malishevës, me synimin jo vetëm për largimin e mbeturinave nga hapësirat publike, por edhe për rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Aktiviteti i sotëm është zhvilluar në Këshillin Lokal Shkozë–Janqist, ku kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, drejtorë të drejtorive komunale, qytetarë të fshatit Shkozë, si dhe nxënësit e shkollës së bashku me stafin arsimor.

Në fillim të aktivitetit, nënkryetari Krasniqi mbajti një ligjëratë për nxënësit, ku foli për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe për rolin që ka secili qytetar në mbrojtjen e natyrës. Ai theksoi se muaji prill është shpallur Muaj i Ambientit nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe se gjatë këtij muaji po organizohen aktivitete të shumta për pastrimin e hapësirave publike dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Gjatë këtij aksioni janë pastruar zona të ndryshme të fshatit, ndërsa mbeturinat e grumbulluara janë larguar në vendet e përcaktuara për deponim. Po ashtu, nënkryetari Krasniqi bëri të ditur se paralelisht me këto aktivitete po vazhdon edhe largimi i mbeturinave inerte nga deponitë ilegale, në mënyrë që të parandalohet ndotja e mjedisit dhe të përmirësohet pamja e vendbanimeve.

Aksioni “Për Malishevën e pastër” do të vazhdojë edhe në vendbanime të tjera të komunës, me qëllim që përmes bashkëpunimit mes institucioneve, shkollave dhe qytetarëve të krijohet një ambient më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

U përkujtua dëshmori Kemajl Azizi

Në 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Kemajl Azizi, Kryetari i Komunës së …