Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në gjykatën speciale në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është konfirmuar vdekja e një viktime të pranuar në procedurë. Sipas të dhënave të bëra publike, viktima ishte pranuar në proces më 12 dhjetor 2022, ndërsa trupi gjykues është njoftuar për vdekjen e saj më 4 mars 2026 nga mbrojtësi i viktimave. Pas kësaj, mbrojtësi i viktimave ka kërkuar që dy të afërm të viktimës të lejohen të vazhdojnë pjesëmarrjen në procedurë në vend të saj. Gjykata e ka pranuar kërkesën, duke u lejuar atyre të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse, por me masa të rrepta anonimiteti. Në vendim thuhet se identiteti i tyre do të mbetet i fshehtë për publikun dhe palët, ndërsa janë caktuar pseudonime për qëllime të procesit gjyqësor. Gjykata gjithashtu ka theksuar se viktima ka ndërruar jetë para përmbylljes së çështjes, e cila ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit. Ndërkohë, procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e fjalëve përfundimtare gjatë shkurtit 2026, ku Prokuroria ka kërkuar dënime të rënda për të akuzuarit, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar të gjitha akuzat
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
