Me aktivitete të shumta mjedisore sot në Viti po shënohet Dita e Tokës. Aktivitetet kanë nisur në qendër të qytetit të Vitisë, ku pjesëmarrësit, në krye me kryetarin e komunës, Sokol Haliti, kanë zhvilluar aksion për pastrimin e hapësirave publike dhe mbjelljen e luleve dhe drunjve dekorativ në zona të ndryshme.
Në këto aktivitete kanë marrë pjesë nxënës dhe mësimdhënës nga shkollat fillore dhe të mesme, përfaqësues të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të KFOR-it, stafi shëndetësor, Kompania “Ecohigjena”, kompania për mirëmbajtjen e hapësirave publike, përfaqësues të komuniteteve fetare myslimane dhe katolike, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe qytetarë të tjerë.
Me këtë rast, kryetari Haliti theksoi se gjatë këtij muaji, pas vendimit të tij për ta shpallur vitin 2026 si vit të mbrojtjes së mjedisit, janë realizuar aksione të shumta në pothuajse të gjitha lokalitetet e komunës.
Ai foli për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe për përkushtimin institucional në këtë drejtim, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë për një mjedis më të pastër.
Gjithashtu i pari i Vitisë bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë larguar edhe deponi ilegale të mbeturinave, ndërsa Komuna e Vitisë po vazhdon punën në parandalimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe vetëdijesimin e qytetarëve.