Sot, më 23 prill 2026, është ndarë nga jeta një nga figurat më të mëdha të kulturës dhe mendimit shqiptar, Rexhep Qosja. Ai është varrosur në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes, në një ceremoni të qetë dhe dinjitoze.
I njohur si shkrimtar, kritik letrar, studiues dhe një ndër personalitetet më të rëndësishme të popullit shqiptar, Qosja la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale. Konsiderohet “Rilindësi i fundit” dhe një nga mendjet më të ndritura të botës shqiptare.
Gjatë jetës së tij krijuese, ai shkroi dhe botoi rreth 40 libra, duke përfshirë vepra letrare artistike, studime kritike dhe shkrime publicistike që kanë ndikuar fuqishëm në zhvillimin e mendimit kulturor dhe kombëtar.
Rexhep Qosja u lind në Vuthaj, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa gjysmë-maturën në Guci. Shkollën Normale e përfundoi në Prishtinë më 1959. Studimet universitare i vijoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua më 1964.
Karrierën akademike e nisi si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1971 mbrojti doktoratën me temën për jetën dhe veprën e Asdrenit.
Ai shërbeu si drejtor i Institutit Albanologjik nga viti 1972 deri më 1981, kur u përjashtua për shkak të mbështetjes së tij për demonstratat studentore të asaj kohe. Gjithashtu, ishte profesor dhe udhëheqës i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik.
Me ndarjen e tij nga jeta, kultura shqiptare mbeti pa një figurë të pazëvendësueshme, ndërsa veprat dhe mendimi i tij do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
