Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapa për forcimin e kontrollit të procesit zgjedhor, në një periudhë kur hetimet ndaj qindra komisionarëve dhe dyshimet për keqpërdorime po e vendosin në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. Vetëm në një ditë janë ndaluar 109 komisionarë, disa prej tyre edhe familjarë të kandidatëve për deputetë, nën dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e mëparshme. Edhe pse disa janë dërguar në mbajtje, hetimet ende nuk janë përmbyllur, ndërsa vendi tashmë po hyn në një tjetër cikël zgjedhor më 7 qershor. KQZ ka paralajmëruar masa të reja kontrolli gjatë numërimit të votave, përfshirë mundësinë e rinumërimit deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura rastësisht pas pranimit të materialeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, sistemi i ri synon të rrisë transparencën dhe besueshmërinë e procesit, por përzgjedhja e komisionarëve mbetet në masë të madhe në dorën e partive politike, çka e bën filtrimin e integritetit më të vështirë. Ndërkohë, KQZ ka miratuar edhe një rregullore të re që ndalon certifikimin e personave me probleme ligjore dhe obligon partitë të garantojnë me shkrim se vëzhguesit e tyre do të respektojnë ligjin zgjedhor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
