Organizata Liria ka emër ka reaguar me tone të forta ndaj shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme dhe të dëmshme për drejtësinë. Në komunikatën për media, organizata thekson se shtyrjet e përsëritura nuk mund të trajtohen më si procedurë normale gjyqësore, por si një degradim serioz i parimit të gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Sipas saj, procesi i zgjatur për vite me radhë ka humbur kredibilitetin dhe është shndërruar në një mekanizëm që, siç thuhet, po prodhon padrejtësi të vazhdueshme ndaj të akuzuarve. Organizata ngrit gjithashtu shqetësimin për faktin se ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim për gati gjashtë vite, duke vlerësuar se kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë së drejtë. “Liria ka emër” paralajmëron se çdo shtyrje e mëtejshme e vendimit vetëm sa e thellon krizën e besimit në këtë mekanizëm gjyqësor dhe e largon atë nga standardet e drejtësisë ndërkombëtare, duke krijuar – sipas tyre – një precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
