Në seancën e sotme në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, dëshmitarja eksperte Helen Fraser deklaroi se gjatë procesit të transkriptimit të audio-incizimeve nga vizitat në Qendrën e Paraburgimit është përdorur edhe Inteligjenca Artificiale. Sipas dëshmisë së saj, analiza është fokusuar në dy incizime specifike që lidhen me vizitat në paraburgim. Fraser theksoi se transkriptimi i materialeve audio është një proces kompleks dhe se është e vështirë të vlerësohet saktësia e plotë e një transkripti pas përfundimit të punës. Ajo bëri të ditur se nuk e kupton gjuhën shqipe dhe se nuk ka pasur transkriptues që e flasin atë gjuhë, çka sipas saj e bëri të nevojshëm përdorimin e një mjeti të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar në deshifrimin e materialit audio. Megjithatë, Fraser theksoi se Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë plotësisht faktorin njerëzor, sidomos në rastet kur audio-incizimet kanë cilësi të dobët. Fraser u shpreh se nuk mund të vlerësojë aftësitë individuale të përkthyesve të përfshirë në proces, por shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të ketë pasur në dispozicion informacione shtesë kontekstuale që kanë ndihmuar në hartimin e transkriptit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
