Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Unionin e Turizmit të Kosovës, të përfaqësuar nga kryetari z. Baki Hoti.
Ky memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në funksion të zhvillimit dhe promovimit të sektorit të turizmit në Komunën e Vitisë.
Marrëveshja parasheh koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në hartimin e politikave dhe strategjive zhvillimore në fushën e turizmit, promovimin e turizmit të qëndrueshëm, përfshirjen e Vitisë në paketa turistike, pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare të turizmit, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta me rëndësi për zhvillimin lokal.
Po ashtu, memorandumi synon fuqizimin e promovimit të turizmit rural dhe agroturizmit, përgatitjen e materialeve promovuese dhe angazhimin për sigurimin e donatorëve dhe investimeve në projekte turistike për Komunën e Vitisë.
Kryetari Haliti vlerësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt promovimit të potencialeve turistike të Vitisë dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe turistik të komunës.