Ekspertja Fraser në Hagë: Interpretimet në transkriptet e ZPS-së tejkalojnë atë që dëgjohet realisht në audio

Në gjykatën speciale në Hagë po vazhdon dëshmia e ekspertes së mbrojtjes së Hashim Thaçi, Helen Fraser, në gjykimin ku ai dhe disa të tjerë akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjatë kundërpyetjeve nga prokurori Joshua Hafetz, ekspertja Fraser deklaroi se disa nga interpretimet e bëra në transkriptet e Prokurorisë së Specializuar tejkalojnë atë që mund të identifikohet objektivisht nga audio-incizimet. Ajo theksoi se përshkrime si hyrje-daljet e personave në dhomë apo zhurma të ndryshme, përfshirë fëshfërimën e letrave dhe kthimin e faqeve, nuk mund të konstatohen gjithmonë me saktësi nga vetë materiali audio. Sipas saj, në disa raste nuk është e qartë se si transkriptuesit kanë arritur në përfundime të tilla, duke ngritur dyshime mbi interpretimin e tingujve dhe saktësinë e tyre. Fraser shtoi se koncepti i asaj që mund të transkriptohet “objektivisht” nga një audio është i ndërlikuar dhe kërkon kujdes në dallimin mes tingullit real dhe interpretimit të tij. Ajo përsëriti se qëndrimi i saj nuk është se gjithçka është e pasaktë, por se disa elemente në transkripte shkojnë përtej asaj që mund të dëgjohet qartë dhe të dokumentohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga incizimet.

Kontrolloni gjithashtu

PDK merr epërsinë në Malishevë, bastionin tradicional të Nismës

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në epërsi në Malishevë, një komunë që tradicionalisht është …