Komandanti i FSK, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj zhvilluan një takim me anëtarët e Grupin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së. Takimi është mbajtur për prezantimin e Planit të Integritetit të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili u kryesua nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj. Komandanti Rama, paraqiti një ekspoze të zhvillimit, profesionalizimit dhe aktiviteteve të FSK-së, duke përmendur të arriturat në fushën e arsimimit, të trajnimit, të stërvitjes, e gjithashtu edhe pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime të përbashkëta jashtë vendit, si në regjion dhe më gjerë, krahas ushtrive të tjera partnere. Gjatë takimit, deputetët, mirëpritën hartimin e Planit të Integritetit si dhe shtruan një varg pyetjesh për të cilat komandanti i FSK-së dhe sekretari i përgjithshëm u përgjigjen me kompetencë. Plani i Integritetit paraqet dokumentin parimor të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me qëllim të reduktimit të rreziqeve korruptuese në institucion, dhe është në përputhje të plotë me bazën ekzistuese ligjore të Republikës së Kosovës, e cila promovon qeverisjen e mirë dhe parimin e meritës në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe shpenzimet e parasë publike.
