Raporti i fundit i publikuar nga platforma WorldAtlas, duke iu referuar të dhënave të Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë pas Moldavisë, ka nxitur debat të fortë politik në vend. Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar Qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti për mungesë të investimeve zhvillimore dhe projekteve kapitale gjatë gjashtë viteve të fundit në pushtet. Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Gashi, tha se varfëria në Kosovë është pasojë e “dekadave të qeverisjes së keqe”, mungesës së investimeve dhe privatizimeve të dëmshme nga qeveritë e kaluara. Nga ana tjetër, ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, kritikoi ashpër Qeverinë Kurti për mungesë rezultatesh konkrete në ekonomi dhe investime kapitale. Kritika të ngjashme pati edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Zyrtari i saj, Alban Zogaj, deklaroi se gjatë mandatit të VV-së nuk është realizuar asnjë projekt madhor ekonomik. Ndërkohë, Labinot Bislimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se Kosovës i mungon një strategji afatgjate për zhvillim ekonomik dhe rritje të kapaciteteve prodhuese. Sipas raportit të cituar nga WorldAtlas, Kosova për vitin 2025 ka GDP për kokë banori rreth 20 mijë e 400 dollarë, ndërsa ekonomia vazhdon të mbështetet kryesisht në sektorin e shërbimeve, ndërtimtarisë, tregtisë dhe remitancave nga diaspora.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
