Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se po krijohet një trajtim i pabarabartë mes punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat. Sipas tij, mbështetjet e fundit financiare apo shpërblimet për sektorin publik, që sipas AKB-së arrijnë rreth 780 euro për rreth 90 mijë të punësuar, përbëjnë një kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, ndërsa sektori privat, me rreth 320–330 mijë punëtorë, po trajtohet me mbështetje shumë më të ulët, rreth 100 euro. Shahini theksoi se sektori privat është kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit përmes tatimeve, TVSH-së dhe kontributeve të tjera, duke ngritur pyetjen për drejtësinë e një politike që, sipas tij, favorizon një kategori të punëtorëve ndaj tjetrës. AKB-ja ka kërkuar trajtim më të balancuar ndërmjet dy sektorëve, mbështetje më të madhe për punëtorët e sektorit privat dhe përfshirje të komunitetit të biznesit në vendimmarrjet ekonomike, duke paralajmëruar se pabarazia në politika mund të dëmtojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
