Veprimtari politik Osman Osmani ka vlerësuar se interesimi i bashkatdhetarëve për t’u përfshirë në jetën shoqërore dhe politike mbetet shumë i ulët, krahasuar me interesimin që ata tregojnë për të votuar në Kosovë. Sipas tij, një pjesë e madhe e diasporës po merr pjesë në zgjedhje pa ndonjë motiv të qartë apo ofertë konkrete nga subjektet politike, qoftë për përfshirje në vendimmarrje, qoftë për adresimin e problemeve aktuale në vend. “Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga bllokada institucionale dhe ende nuk po shihet fundi i saj. Kjo situatë po shoqërohet me përçarje dhe gjuhë urrejtjeje”, ka deklaruar Osmani. Duke folur për aktivitetet e partive politike në diasporë në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, Osmani kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se në tubimet me mërgimtarët ka pasur më shumë retorikë sesa oferta konkrete. “Kësaj radhe është përdorur një gjuhë më ekstreme në tubimet në diasporë. Albin Kurti mundohet të prekë çdo temë, por nuk ofron zgjidhje konkrete për nevojat e diasporës apo për përfshirjen e profesionistëve në institucione”, është shprehur ai. Sipas të dhënave zyrtare, për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit nga diaspora janë regjistruar 131 mijë e 901 persona. Prej tyre, mbi 25 mijë pritet të votojnë fizikisht më 6 qershor në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vende të ndryshme të botës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
