Shaip Kamberi: Serbia kërkon të drejta për serbët në Kosovë, por ua mohon shqiptarëve në Luginë

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se vizita e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Preshevë përbën një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të ardhmen demokratike të rajonit. Pas takimit, Kamberi tha se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik nga pushteti në Beograd. Sipas tij, Serbia prej vitesh po ndjek politika për margjinalizimin e shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave, përjashtimit nga institucionet shtetërore, diskriminimit ekonomik dhe mohimit të të drejtave kombëtare e gjuhësore. “Ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik dhe moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, deklaroi Kamberi. Deputeti shqiptar vlerësoi gjithashtu mbështetjen amerikane dhe iniciativën për projektligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar si mesazh të qartë kundër diskriminimit dhe standardeve të dyfishta në Serbi. “Në Preshevë sot nuk kemi folur vetëm për problemet e shqiptarëve, por për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë”, përfundoi Kamberi.

Kontrolloni gjithashtu

Dimitar Keranov: Kosova stabile është çelës për sigurinë e Ballkanit, kërkohet mbështetje më e madhe për integrimin në BE

Presidenti i Institutit të Shkencave Politike në Varna të Bullgarisë, Dimitar Keranov, ka vlerësuar se …