Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër pas rasteve të fundit të vandalizimit të shkronjave të UÇK-së në disa lokacione të Kosovës, duke akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për krijimin e një klime që, sipas tij, ka nxitur sulmet ndaj simboleve të luftës çlirimtare. Syla ka deklaruar se brenda një muaji, në tri lokacione pranë vendbanimeve me shumicë dërrmuese shqiptare, janë dëmtuar apo vandalizuar shkronjat simbolike të UÇK-së, ndërsa, sipas tij, në anën tjetër vazhdojnë të tolerohen dhe ndërtohen simbole që lidhen me forcat ushtarake dhe paramilitare serbe të përfshira në krime gjatë luftës në Kosovë. “Për një muaj në tri lokacione pranë vendbanimeve me shumicë dërrmuese shqiptare, vandalizohen shkronjat e UÇK-së. Ndërkohë, simbolet e ushtrisë e paramilitarëve që masakruan shqiptarët, vazhdojnë të ndërtohen. Kjo nuk është e rastësishme”, ka shkruar Syla. Ai ka shkuar edhe më tej në kritikat e tij, duke pretenduar se këto zhvillime janë rezultat i një qasjeje të gjatë politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Sylës, “është korrje e atij indoktrinimi anti-UÇK që Kurti po e bën me dekada”, duke e akuzuar kryeministrin për krijimin e një ambienti që, sipas tij, zbeh respektin ndaj vlerave të luftës çlirimtare. Në reagimin e tij, Syla përdori një gjuhë të ashpër politike ndaj pushtetit aktual, duke deklaruar se “kjo është Kosova e Kurtit: kolaboracionistët strehohen, terroristët tolerohen, e shqiptarët tradhtohen”.
Screenshot
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
